To access the report in English, please click here.
PËRMBLEDHJE DHE REKOMANDIME EKZEKUTIVE
Në 17 nëntor 2001, populli i Kosovës filloi një faqe të re në historinë e tij duke votuar për zgjedhjet shumëpartiake për institucionet e reja vetëqeverisëse.Mendimi i përgjithshëm për procesin zgjedhor ka qënë se ato shënuan një përparim të dukshëm krahasuar me zgjedhjet e tetorit 2000 për pushtetin vendor. Niveli i dhunës ka qënë më i ulët ndonëse numri i votuesve ka qënë më i lartë.
Po ashtu, si vitin e kaluar, shqiptarët votuan kryesisht për tri parti. Në ndryshim nga viti i kaluar, serbët morën pjesë në votime. Nëse këta të fundit do të kishin votuar në mënyrë masive, do të mund të kishin fituar 25 vende në Kuvendin e përbërë prej 125 vendesh. Përkundrazi, udhëzimet çorientuese të udhëheqësve të tyre – disa prej të cilëve propagandues të braktisjes së votimit – e ulën numrin e votuesve serbë.
Ndërtimi i institucioneve të reja vetëqeverisëse të Kosovës, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2001, do të përbëjë një moment kthese në zhvillimin e kësaj province pas konfliktit. Pushteti i institucioneve të reja do të jetë i kufizuar, dhe pavarësisht nga transferimi i përgjegjësive për zgjidhjen e çështjeve të përditëshme, pushteti vendimmarrës i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) do të mbetet i pandryshuar.
Megjithatë, rëndësia politike e zgjedhjes së Kuvendit, pavarësisht nga kufizimet e pushtetit të tij, qëndron në legjitimitetin e tij për shumicën shqiptare të popullsisë. Ekzistenca e këtij Kuvendi të zgjedhur dhe e një Qeverie të Kosovës do ta ndryshojë në mënyrë vendimtare pamjen politike të provincës dhe marrëdhëniet e administratës së UN-it me udhëheqësit politikë vendorë.
Është tepër i rëndësishëm fakti që PSSP ka autoritet për të vepruar kundër çdo përpjekjeje për tejkalim të kompetencave institucionale, siç përcaktohet në Kornizën Kushtetuese, e cila parashikon pushtetin e organizmave të reja. Për më tepër, këto institucione nuk kanë autoritetin e nevojshëm për të vepruar në drejtim të përcaktimit të statusit final të Kosovës. Kjo është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurinit të OKB-së (RKSOKB 1244).
Rrjedhimisht, çdo orvatje e partive shqiptare të Kosovës për ta përdorur Kuvendin për arritjen e pavarësisë, do të ishte e padobishme. Megjithatë, pavarësisht nga kufizimet, Kuvendi do të jetë një forum i ri dhe i rëndësishëm përmes të cilit udhëheqësit vendorë me legjitimitetin e një mandati demokratik do të kenë mundësi t’i bëjnë oponencë UNMIK-ut me mënyra të cilat janë ende të paqarta.
Në procesin parazgjedhor, një çështje thelbësore ishte pjesëmarrja ose jo e serbëve. PSSS ndërmori një sërë negociatash dinamike me udhëheqësit e Beogradit, çka dha rezultate vetëm dy javë para votimit. Ndërkohë që një marrëveshje i mundësoi Beogradit pohimin e arritjes të disa prej kërkesave të tyre, por pa shkeljen e parimeve të RKSOKB 1244 apo të Kornizës Kushtetuese nga ana e UNMIK-ut. Udhëheqësit shqiptarë u shqetësuan nga kjo marrëveshje dhe nga përfshirja e Beogradit në këtë proces.
Ndërkohë, një numër i madh serbësh në disa pjesë të Kosovës qëndruan larg nga votimet. Kërcinimi ndaj serbëve me të drejtë vote, çka dëmtoi zgjedhjet në pjesën e kontrolluar nga serbët në veri të lumit Ibër, e bëri të qartë nevojën për ndërhyrjen e UNMIK-ut dhë të KFOR-it për eliminimin e kriminalitetit, që i përkrahur nga Beogradi pengon shtrirjen e autoritetit të UNMIK-ut në atë zonë.
Zyrtarët perëndimorë u kanë kërkuar me ngulm udhëheqësve vendorë kosovarë, ta braktisin për momentin çështjen e pavarësisë dhe të përqëndrohen në funksionimin e institucioneve të reja, duke dhënë kështu prova për aftësitë e tyre për qeverisjen e provincës. Në të vërtetë, marrja e përgjegjësive qeverisëse do të ishte një sfidë për udhëheqësit kosovarë, të cilët kanë më tepër përvojë në kundërshtimin e institucineve sesa në themelimin e tyre.
Por nuk do të ishte reale të shpresohej se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës apo votuesit do ta braktisin atë çështje që për ta është thelbësore. Nëse Kuvendi përpiqet ta shtrijë rolin e tij përtej asaj çka është përcaktuar në Kornizën Kushtetuese apo vepron në mënyrë konfrontuese, PSSP mund të marrë masa të rrepta. Megjithatë, zyrtarët e sapo zgjedhur ka pak mundësi t’i pranojnë për një kohë të gjatë kufizimet e administratës ndërkombëtare të pazgjedhur. Inati i shqiptarëve në lidhje me marrëveshjen e UNMIK-ut me Beogradin për të arritur përkrahjen për pjesmarrjen e serbëve, së bashku me padurimin e shkaktuar nga përparimi i ngadaltë drejt pavarësisë, mund të jenë nxitës për marrëdhënie të tendosura mes UNMIK-ut dhe partive shqiptare pas zgjedhjeve .
REKOMANDIME
PËR BASHKËSINË NDËRKOMBËTARE
1. UNMIK-u duhet t’u lejojë institucioneve të reja vetëqeverisëse sa më tepër liri për qeverisje brenda parametrave të përcaktuara në Kornizën Kushtetuese. Këtyre institucioneve duhet t’u jepet mundësia të mësojnë nga gabimet për të rritur përgjegjësinë dhe efektivitetin.
2. Krijimi i autonomisë të kufizuar përmes institucioneve vetëqeverisëse duhet të shihet si mënyra e vetme për fillimin e një procesi që më pas do transferojë më tepër pushtet “të mirëfilltë” vetëqeverisës tek institucionet e zgjedhura të Kosovës, në nivelin provincial dhe atë komunal.
3. Për të shmangur acarime të panevojshme me shumicën e Kosovarëve, UNMIK-u në përfaqësimin e interesave të jashtme të Kosovës, duhet të këshillohet me përfaqësuesit e zgjedhur vendorë dhe t’i marrë parasysh seriozisht pikëpamjet tyre.
4. KFOR-i duhet të vazhdojë të ndërmarrë hapa dhe më efektive për mbrojtjen e qytetarëve serbë dhe romë, përfshi goditjen ndaj forcave të paligjshme paramilitare dhe të sigurimit të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
5. Bashkësia ndërkombëtare duhte të marrë nën kontroll situatën në Mitrovicë. KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut duhet të veprojnë, nëse është e nevojshme dhe me forcë ligjore, kundër “rojeve të urës”, dhe autoriteti i UNMIK-ut me përkrahjen e KFOR-it duhet të shtrihet në veri të lumit Ibër.
PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS
6. Përfaqësuesit e sapozgjedhur duhet të përqëndrohen në funksionimim e institucioneve të reja vetëqeverisëse, më tepër se sa në veprimet e papjekura në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës.
7. Këta përfaqësues të zgjedhur duhet të ndërmarrin krijimin e një komisioni, ndoshta brenda Kuvendit të ri, për të shqyrtuar mundësi konstruktive në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me Beogradin, dhe për të përgatitur propozime që do të përbënin bazën e diskutimeve me Beogradin dhe bashkësinë ndërkombëtare.
8. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duhet të ushtrojnë autoritetin e tyre moral për marrjen e përgjegjësisë për përmirësimin e kushteve të serbëve dhe të romëve në Kosovë, pakësimin e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj tyre dhe mundësimin e kthimit të refugjatëve.
PËR SERBËT E KOSOVËS
9. Përfaqësuesit e sapozgjedhur serbë duhet ta përfaqësojnë bashkësinë e tyre përmes pjesëmarrjes konstruktive në institucionet e reja vetëqeverisëse të Kosovës dhe te bashkepunojnë me UNMIK-un.
10. Udhëheqësit serbë të Kosovës duhet të bashkëpunojnë me UNMIK-u dhe KFOR-in për bashkimin e rajonit në veri të Ibrit me kornizën institucionale të Kosovës dhe për t’u mundësuar shqiptarëve të zhvendosur kthimin e sigurt në shtëpitë e tyre.
PËR BEOGRADIN
11. Beogradi duhet të bashkëpunojë me UNMIK-un dhe duhet t’i japë fund përkrahjes për serbët e Kosovës që pengojnë bashkimin e zonës në veri të Ibrit me Kosovën.
12. Beogradi duhet t’i nxisë përfaqësuesit serbë të Kosovës të marrin pjesë konstruktive në institucionet e reja të Kosovës.
Prishtinë/Bruksel, 21 nëntor 2001